Albanian

JETA Ε SHENJTIT MARTIR DHE APOSTULLIT TË VËRTETË SHËN KOZMA ETOLLOSIT (1) (Αλβανικά, Albanian)

11 Νοεμβρίου 2009

Agios Kosmas o Aitolos 08

Jeta e shenjtit martir dhe apostullit të vërtetë

(siç na e përshkruan Shën Nikodhimi në Martirologun e ri të tij)

Në vitin 1779, më 24 gusht u flijua në Shqipëri Shenjti martir dhe Apostulli i vërtetë, Shën Kozmai.

«Si një yll u shfaqe në këtë jetë, ο Kozma,

dhe botës, me fjal’e me gjak, i dhe dritë»

Ai që ish me të vërtetë njeri i Zotit, mësuesi dhe përhapësi i Ungjillit të shenjtë, Kozmai, rridhte nga një fshat i vogël i Etolisë që quhej Mega Dhendro. Ishte bir prindërish që e dëgjonin fjalën e Zotit, të cilët e mëkuan dhe e edukuan «me mësimet dhe këshillat e të Plotfuqishmit», siç shkruan Apostulli. Kur ishte njëzet vjeç, ndoshta dhe pak më i rritur, filloi të marrë mësimet e para nga Jerodiakoni Anania Dervisani. Por meqë në atë kohë u hap në Malin e Shenjtë shkolla e Vatopedhit, që bëri shpejt emër, ai shkoi aty me shumë moshatarë të tij dhe i plotësoi mësimet duke patur mësues Panajoti Pallamanë. Më pas mësoi edhe shkencën e Logjikës nga mësuesi Nikolaos Xarxulios prej Meçovi, i cili ishte drejtor i shkollës së atyshme dhe kishte zëvendësuar të shumëditurin Eugjen. Atëhere ishte akoma laik me emrin Kostas. Por, ndërsa bënte pjesë në klasën e Iaikëve, dukej i stolisur me thjeshtësinë e klasës së murgjve dhe përpiqej e ushtrohej vetë për t’u bërë i denjë i kësaj klase. Kur ajo shkollë e famshme u shkretua përsëri pas ikjes së mësuesve dhe u katandis në gjendjen e mëparshme, atëhere dhe i ndrituri Kosta u largua prej aty në Manastirin e Shenjtë të Filotheut, ku veshi shpejt rrobën e murgut dhe i hyri me shumë dëshirë mundimeve të jetës prej murgu. Pas kësaj, meqenëse Manastiri kishte nevojë për prift, i nxitur dhe i lutur nga etërit u shugurua Jeromonak. Qysh kur ishte akoma laik, ai digjej nga dëshira të ndihmonte me dituritë e tij vëllezërit e krishterë. Shumë herë thoshte se vëllezerit tanë të krishterë kanë shumë nevojë për fjalën e Zotit dhe se ata që fitojnë dije, kanë për detyrë të mos vrapojnë në shtëpitë e arhondëve dhe në oborret e të mëdhenjve, ku i bëjnë të pavlefshme dituritë e tyre me mendimin të fitojnë pasuri dhe ofiqe, por duhet sidomos të mesojnë njerëzit e thjeshtë, të cilët jetojnë në padituri dhe paqytetëri të madhe.

Megjithëse kishte një dëshirë aq të madhe dhe një zell i fuqishëm digjte shpirtin e tij të shenjtë për të ndihmuar të shumtët, përsëri nuk guxoi të ndërmarrë vetë ai misionin Apostolik, pa kuptuar më parë vullnetin e Zotit. Ai, njeri i thjeshtë dhe i virtytshëm, e mendonte sa gjë e vështirë dhe e madhe ishte të bëheshe përhapës i fjalës së Zotit. Kështu, duke dashur të saktësojë ishte a s’ishte kjo gjë në dëshirën e Zotit, hapi Librin e Shenjtë dhe – çfarë çudie! – u ndodh përpara shprehjes së Apostullit që thotë «Le të mos përpiqemi vetëm për interesin tonë por edhe për interesin e vëllait tonë…».

Pasi mori vesh pra këtë gjë nga fjala e Zotit dhe pasi u shfaqi qëllimin e vet edhe etërve të tjerë kishtarë, duke marrë dhe pëlqimin e tyre, shkoi në Konstandtnopojë për t’u takuar me të vëllanë, dhaskalin Krisanth. Ai i mësoi edhe disa gjëra prej artit te gojëtarisë që të kishte dhe njëfarë metode në fjalët që do të mbante. Të njëjtin mendim ua shfaqi dhe priftërinjve dhe dhaskalëve të atyshëm, të cilët e nxitën në këtë vepër të shenjtë. Mori dhe leje me shkrim nga Patriarku i atëhershëm Serafimi, që rridhte prej Delvine, dhe kështu nisi fatlumi të përhapë Ungjillin e Mbretërisë së Shenjtë, në fillim në kishat dhe fshatrat e Konstandinopojës. Duke vazhduar shkoi në Navpakto, në Vrahori, në Mesolongj dhe në të tjera qytete e fshatra. Pastaj u kthye përsëri në Konstandinopojë ku, si u takua me Patriarkun e atëhershëm Sofronin dhe si mori prej tij përsëri bekimin dhe lejen e duhur, nisi prapë të përhapë fjatën e Ungjillit me më shumë zell dhe gjallëri. Kaloi në të gjithë pothuaj ishujt e Egjeut dhe u mësoi të krishterëve të pendohen dhe të bëjnë vepra të denja të pendesës së tyre. Në vitin 1775 u kthye prej aty në Malin e Shenjtë, në vazhdim shkoi në Manastiret, ku foli me Etërit që ndodheshin në to dhe lexoi për pak kohe librat e Shenjtë të Etërve të Kishës. Por, meqenëse – siç thoshte vetë ai – nuk mundej të duronte më dëshirën që i didgjte shpirtin për t’ u bërë mirë të krishterëve, iku nga Mali i Shenjtë për të vazhduar veprën e tij. Filloi nga fshatrat përreth, vazhdoi në Selanik, në Veria dhe pothuaj në gjithë Maqedoninë. Shkoi më pas edhe nëpër fshatrat e Himarës, Akarnanisë, Etolisë duke arritur deri në Artë dhe Prevezë. Prej aty lundroi në Shën Mavra dhe në Qefaloni. Kudo që shkonte ai njeri i bekuar, mblidheshin grumbuj të mëdhenj të krishterësh dhe dëgjonin me përkushtim dhe vëmendje fjalët e tij të ëmbla dhe të lezetshme. Pastaj vazhdohej me faljen e mëkateve dhe besimtarët e ndjenin shpirtin të lehtësuar. Mënyra si u drejtohej njerëzve ishte vërtet e thjeshtë, siç i flasin peshkatarët njëri-tjetrit. Këtë e them me bindje sepse pata fatin ta dëgjoj me veshët e mi. Zëri i tij ishte paqësor dhe i butë, fjalët e tij ishin të mbushura me dritën dhe qetësinë e Frymës së Shenjtë. Sidomos në ishullin e Qefalonisë, ky mësues i Shenjtë bëri shumë të mira në ndihmë të njerëzve, duke korrur frytet e farës që mbolli me fjalët e shenjta të tij. Por edhe Zoti e ndihmonte nga lart dhe u vinte vulën fjalëve të tij me shenjat dhe çuditë që do të tregojmë më poshtë, siç vepronte dikur me fjalët e Apostujve të shenjtë.

Në këtë ishull, domethëne në Qefaloni, jetonte një rrobaqepës i varfër. Ai kishte të paralizuar prej vitesh dorën e djathtë dhe ishte i paaftë per punë. Ai pra, shkoi tek Shenjti dhe e luti ta shërojë. Shenjti e këshilloi të ndjekë me përkushtim fjalët e tij dhe Zoti do ta mëshirojë. Rrobaqepësi i varfër e dëgjoi, ndoqi fjalët e tij dhe – sa çudi! – ditën tjetër u zgjua me dorën të shëruar. Një tjetër njeri, edhe ky i paralizuar, kur degjoi këtë gjë të pabesueshme, kërkoi ta çonin me gjithë krevat të dëgjonte fjalët e Shenjtit. Pas disa ditësh edhe ai u shërua plotësisht, lëvdonte Zotin dhe falënderonte Shenjtin.

Në Kastron e Asos ndodhej një i pasur që kishte një sëmundje të tmerrshme nga veshët. Prej shumë vitesh kishte humbur pothuaj dëgjimin. Shkoi dhe ai me përkushtim dhe besim aty ku Shenjti mbante fjalët e veta dhe menjëherë filloi të dëgjojë qartë. Dhe që atëhere u bë plotësisht mirë. Është një fshat i vogël në Qefaloni që quhet Kuruni. Duke kaluar një ditë vere nga ky fshat, Shenjtin e zuri etja dhe kërkoi t’i japin ujë nga një burim i shterur, që ndodhej aty afër. Fshatarët i thanë që burimi s’kish ujë. Por, që t’i bindeshin, shkuan dhe nxorrën nga thellësia e burimit ujë të përzier me baltë e dhera dhe ia sollën. Shenjti e vuri në gojë dhe piu pakëz. Qysh prej asaj kohe pusi i thatë buroi ujë të pastër dhe është gjithnjë plot dimër verë. Çudibërja është edhe më e madhe kur të thonë se me këtë ujë shërohen shumë sëmundje.

Për shkak të njerëzve të shumtë që mblidheshin për ta dëgjuar, asnjë kishë nuk e nxinte turmën e besimtarëve. Prandaj ai detyrohej ta shpallte fjalën e Zotit nëpër sheshe të hapura. Kështu, pra, e pat bërë zakon dbe kudo që shkonte dhe kishte ndërmend të flasë për Zotin, porositte të ngrenin një kryq të madh prej druri dhe ta vendosnin në mes të sheshit. Pastaj mbështeste në drurin e kryqit fronin, që, siç thonë, ia kishte ndërtuar Kurt Pashai, ngjitej në të dhe fillonte të predikonte. Pasi përfundonte, fronin e merrte me vete kudo që shkonte, ndërsa kryqin e linte aty që t’u kujtonte njerëzve fjalët e tij për Zotin. Në ato vende ku qenë vendosur kryqet, Zoti ka bërë herepashere shumë mrekulli. Kështu, në qendër të pazarit të Argostolit që është qyteti më i madh i Qefalonisë, aty ku Shenjti pat lënë një të tillë kryq, shpërtheu nga toka ujë me veti çudibërëse, që vazhdon të rrjedhë deri sot pa u pakësuar asnjëherë.

Nga Qefalonia shkoi në Zaqintho. * shoqëronin më shumë se dhjetë kaiqe të mbushura me besimtarë të bindur nga Qefalonia. Por aty nuk pati sukses njeriu i bekuar. Prandaj, pasi predikoi vetëm për pak kohë, u kthye përsëri në Qefaloni dhe prej aty shkoi në Korfuz ku u prit me gëzim nga të gjithë dhe veçanërisht nga vetë princi i ishullit. Por, meqenëse u grumbullua një turmë e madhe nga fshatrat përreth për të dëgjuar fjalët e Shenjtit, krerët e qytetit iu lutën të ikë më shpejt sepse i trembeshin ndonjë të pabëre. Dhe kështu, me qëllim që të mos bëhej shkak ngjarjesh të papëlqyera dhe turbullirash midis njerëzve, u largua që aty dhe u hodh në bregun përballë, domethënë në Shqipëri, në qytetin e Dyzet Shenjtorëve (Sarandë). Aty u mësonte të krishterëve fjalën e Zotit duke kaluar fshat më fshat, në të gjithë zonën ku njerëzit ishin egërsuar dhe ku respekti ndaj Zotit dhe jeta e krishterë rrezikoheshin të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Të krishterët e atyre anëve ndodheshin në padije te madhe dhe ishin bërë pre shumë të këqiash, vrasjesh, vjedhjesh dhe gjërash të tjera të padëgjuara. Kështu, me ato që bënin, ata sa s’po ua kalonin edhe vetë të pafeve. Pikërisht në shpirtrat e shkretë dhe të egërsuar të këtyre të krishterëve, Shën Kozmai mbolli farën e fjalës se Zotit dhe me ndihmën e tij hyjnore arriti të bëjë shumë të mira, që mbahen mend edhe sot. Ai arriti të zbusë te egrit, të sjellë në rruge të drejtë hajdutët, u mësoi të kenë mëshirë njerëzve të pamëshirshëm e të pashpirt, të pafetë i futi në rrugën e Zotit, të paditurve dhe të pagdhendurve u ndriçoi mendjet me të vërtetat hyjnore dhe i bëri të ndjekin me etje Meshën e Shenjtë. Ai u tregoi udhën e pendesës dhe të ndreqjes gjithë mëkatarëve, të cilët pranonin se ishte shfaqur në ditët e tyre një Apostull i ri. Me mësimet e tij ngriti kudo, nëpër fshatra e qytete, shkolla ku shkonin fëmijët dhe mësonin falas fjalët e Zotit. Në këtë mënyrë atyre u rrënjosej besimi dhe respekti ndaj Zotit, mësoheshin të ishin të virtytshëm në familje e shoqëri. Arriti të bindë të pasurit dhe ata blenë më shumë se katër mijë kolimvithra të mëdha prej bakri, dymbëdhjetë grosh secilën dhe ia dhuruan Kishës si kujtim të tyre të përjetshem. Aty do të pagëzoheshin siç u kishte hije femijët e të krishterëve. Arriti të bindë, po kështu, ata që kishin mundësi dhe u blenë libra kishtarë dhe mësime për të krishterët, tespihe, kryqe të vegjël, shami dhe krehëra. Librat ua dhuronte atyre që dukej se do t’i lexonin, shamitë – më shumë se katër mijë – ua ndante grave, që të mbulonin kryet, krehërat i jepte tek ata që premtonin të linin mjekër dhe të jetonin krishtërisht duke ruajtur virtytet, ndërsa tespihet dhe kryqet – më shumë se pesëqind mijë – ua ndante njerëzve të thjeshtë, që t’u falnin mëkatet atyre që i patën blerë.

Kudo që shkonte e ndiqnin pas dyzet deri pesëdhjetë priftërinj. Kur shkonte nga një qytet në tjetrin, u çonte fjalë besimtarëve të krishterë të rrëfehen, të agjërojnë dhe ta kalojnë gjithë natën duke u lutur nën dritën e qirinjve. Për këtë qëllim kishte përgatitur disa kasa druri dhe çdonjëra merrte njëqind qirinj që i shkrinte dhe i merrte me vete. Pastaj u ndante të gjithëve qirinj falas, vinte priftërinjtë dhe lexonin Efkelin e Shenjtë. Besimtarët lyheshin me vajin hyjnor dhe më pas ai mbante fjalën e Zotit. Meqë i shkonte pas shumë popull, dy a tre mijë, jepte porosi qysh në darkë dhe bënin gati shumë thasë me bukë e kazanë me grurë të zier. Pastaj i nxirmin jashtë në rrugë, aty ku do të kalonte populli, dhe të gjithë merrnin bukë dhe grurë duke falur të gjallë e të vdekur.

Me Shën Kozmanë Zoti bëri edhe aty në Shqipëri, ashtu si dhe në vende të tjera, çudira të mëdha: Një oficer turk, i nxitur ose nga hebrenjtë ose nga satanai, e urrente kaq shumë Shenjtin saqë një herë i hipi kalit dhe u nis revan që ta arrinte dhe t’i bënte keq. Por, tek vraponte, kali e rrëzoi dhe ai theu këmbën e djathtë. Kur u kthye në shtëpi gjeti të birin të vdekur. Kështu, si u pendua për ato që kish bërë, i dërgoi letër Shenjtit ku i kërkonte ndjesë.

Agallarët e Filatit shkuan të shohin Shenjtin dhe të dëgjojnë fjalët e tij. Meqë ish kohë vere, u shtrinë dhe fjetën jashtë në fushë. Për një çast, në errësirën e thellë të natës, panë një dritë qiellore si re, që mbulonte vendin ku rrinte Shenjti dhe këtë ua treguan të krishterëve. Në mëngjes kërkuan që vetë Shenjti t’u jepte uratën e tij me gjithë shpirt dhe jo vetëm me fjalë.

Një tjetër oficer turk nga Kavaja vuante nga një sëmundje e tmerrshme dhe hiqte shumë. Kur dëgjoi për Shën Kozmanë, dërgoi tek ai shërbëtorin e vet dhe e luste të shkonte aty për ta bekuar se ndoshta uratat e tij i dëgjonte Zoti dhe e shëronte. Shenjti në fillim nuk desh të shkonte duke thënë se ai është mëkatar. Turku dërgoi përsëri shërbëtorin e vet me një enë me ujë dhe e luste Shenjtin ta bekonte. Atëhere Shenjti, duke parë përkushtimin e turkut, e porositi të bënte dy gjëra: Të mos pijë uzo dhe t’u ndajë të dhjetën e pasurisë së tij të varfërve. Dhe, si mori premtimin e turkut, e bekoi ujin dhe këtë ujë e piu i sëmuri. Pas katër ditësh ai ishte shëruar plotësisht e pas kësaj bëri shumë vepra në ndihmë të të varfërve dhe të dobtëve.

……